Përshëndetje të gjithëve Dua me këtë post ti drejtohem të gjithë anëtarëve të këtij siti për disa probleme lidhur me mbarëvajtjen e forumit. Dorjani,uebmasteri i sitit, më ka besuar rolin e moderatorit të forumit dhe siç mund ta shikoni në postimet e mia në forum krahas emrit tim ndodhet edhe ky rol. Roli i moderatorit të një forumi është sa i rëndësishëm po aq dhe delikat sepse me instrumentet që ka në dorë moderatori ( fshirja totale apo parciale e një komenti) mund të ndikojë për mirë apo për keq në mbarëvajtjen e një diskutimi të caktuar apo të gjithë forumit. U zgjata pak në paraqitjen e këtij roli por mendoj që është e rëndësishme për të kuptuar atë që unë do të shkruaj më poshtë. Është e kuptueshme nga të gjithë që vendi që zë në ueb,cilësia,jetëgjatësia dhe frekuentimi i një siti nuk varet vetëm nga aftësia që ka uebmasteri për të ndërtuar një sit të bukur apo tërheqës por një rol të rëndësishëm ka edhe komuniteti që përdor sitin. Dhe pikërisht mbi këtë të fundit,pra mbi rolin e anëtarëve dua të ndalem më gjatë. Duke lëvizur në forum hasa dy probleme të cilët dua ti paraqis këtu përball ju të gjithëve. Problemi ka të bëjë me cilësinë e komenteve. Është për të ardhur keq që në forum lexon komente të tilla : FLM apo flm të shoqëruara sipas rastit ose me ikona të ndryshme si p.sh : ; ; ose me fjalët ju përshëndes të gjithëve. Të kuptohemi nuk ka asgjë të keqe që dikush do të falënderoj dikë për një program apo film të vënë në rrjet por të mbushësh forumin me komente të tilla,vetëm e vetëm për të arritur numrin 60 të komenteve,numrin magjik që të jep të drejtën të shohësh kanalet “live” është, mendoj unë , diçka e gabuar . Është e gabuar jo vetëm sepse këto “falënderime” nuk sjellin asnjë lloj ndihme në shtimin e informacioneve që një forum i jep anëtarëve të tij por edhe sepse ata, të cilët kanë ndjekur këtë lloj rruge të japin të kuptosh që nuk kanë kuptuar akoma abc e internetit që bazohet në : Dëshirën e mirë për të ndarë me komunitetin virtual qoftë zbulime apo kërkime të ndryshme ,qoftë ndarja me komunitetin të të njëjtave dëshira e aspirata Ja pra ky është interneti ,të paktën për mua por mendoj që edhe për shumicën nga ju. Tani, ç’farë mund të mendoj unë për një nick, i cili përton të shkruaj, sa i dobishëm mund të jetë ky nick,për komunitetin kur edhe fjalën faleminderit e shkruan me shkurtime mendo pastaj të presësh që të hapi një temë diskutimi interesante dhe të vlefshme për të gjithë. Nuk dua të përmend ndonjë emër të veçantë por dua të theksoj për të gjithë se Rregulli N.1 i Forumit i shkruajtur në një post të veçantë në Forum,me titullin Rregullorja e Forumit ka këtë pasazh: ... mos të përdoren shkurtime fjalësh në forum. afër mendsh që askush nuk detyron asnjeri të shkruaj,por në qoftë se merr mundimin të shkruash ,do të ishte mirë të shkruash diçka që të jetë e vlefshme për të gjithë,interneti siç e thashë dhe më lart të jep shumë informacione por këto nuk vijnë vetiu dikush i shkruan dhe filozofia që duhet të na përshkruaj të gjithëve,sipas meje , të marrim nga interneti atë që dëshirojmë por edhe të japim. Kush nuk është dakord me këtë mund edhe të largohet pa asnjë qejf mbetje ,uebi është i madh dhe shyqyr zotit jo vetëm që ka vend për të gjithë por ky sit nuk është i vetmi në gjuhën shqipe. Sa për falënderimet ka një forum të përcaktuar me titullin Përshëndetje dhe Urime dhe n.q.s dikush do të falënderoj në mënyrë akoma më personale,ekzistojnë edhe mesazhet private (PM). Për ta mbyllur këtë aspekt doja gjithashtu të lajmëroja që të gjitha këto mesazhe janë fshirë nga database dhe kjo ka sjellë edhe uljen e numrit të postimeve për ata anëtarë të cilëve u janë fshirë postimet. Aspekti i dytë që do të doja të prekja është ai i përdorimit të Gjuhës Shqipe Tek Rregullorja e Forumit gjithmonë tek Rregulli N.1 gjejmë të shkruar : Postimet në FORUM duhet te jenë në gjuhën shqipe, përveç rasteve te veçanta si citime ... Në përgjithësi ky rregull duhet të them që zbatohet i vetmi vend i cili si duket ka të drejtën e ekstraterritorialitetit është Forumi i Programeve. Kur hap këtë Forum të duket vetja sikur po hap ndonjë forum të Mikrosoft-it, me të vetmin ndryshim që forumi i Mikrosoft-it të paktën të jep të drejtën të zgjedhësh në cilën gjuhë e do kurse këtu lexon të gjitha gjuhët e botës vetëm shqip jo. Unë e kam të qartë që programe në shqip ka pak por kjo nuk do të thotë që mjafton të kopjosh një link nga rapid share dhe një shpjegim anglisht të programit dhe je në rregull. Mendoj që do të ishte më mirë për të gjithë që përveç linkut të shkarkimit të kishte dhe dy rreshta në shqip se përse shërben ky program ,të paktën në linja të përgjithshme, dhe krahas shpjegimit një link të dytë ku mund të gjenden shpjegimet e detajuara në anglisht apo në gjuhën në të cilën është bërë programi. Këto kisha për t’ju thënë shpresoj të mos ju kem bezdisur dhe n.q.s keni ardhur deri te këto rreshta ju falënderoj për durimin.
|