| APOLONIA. Qytet antik ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera me të njëjtin emër të kohës antike. U ngrit mbi një kodër (me dy maja të larta 101 e 103m mbi nivelin e detit) me një pozicion që zotëron tërë zonën dhe nëpërmjet luginës së lumit Aqos (Vjosë) lidhej me detin Adriatik. Në shekujt e parë të jetës, Apolonia mbante lidhje të ngushta me Korinthin dhe Korkyrën dhe luante rolin e ndërmjetësit në tregtinë e helenëve me ilirët. Në shek. V p.e.s. u bë qendër e zhvilluar ekonomike me punishte të shumta zejtare, zgjeroi marrëdhëniet me botën ilire si edhe me Atikën e më vonë edhe me Magna Grecian (Italinë e Jugut). Lulëzimin më të madh qyteti e njohu në shek. IV-III p.e.s. Në këtë kohë qyteti u shtri në të gjithë faqen perëndimore të kodrës dhe u rrethua me një mur mbrojtës 4km të gjatë duke përfshirë një hapsirë të qytetit prej 138ha. Apolonia u ndërtua sipas një plani që mbështetej në sistemin ortogonal të Hipodamit; përshkohej nga rrugë të drejta, kryesore e dytësore, që kryqëzoheshin me njera-tjetrën duke kufizuar lagje të veçanta. Nga ndërtimet kryesore veç mureve rrethuese u ndërtua portiku i qendrës së qytetit (agorasë), teatri, një çezmë monumentale, gjimnazi etj. Shëtitorja e Apolonisë shquhet për planimetrinë e zhvilluar dhe arkitekturën solide. Ajo është me dy kalime dhe dy kate (70.2×10.50m). Muri i pasëm që ka një rol mbajtës është me 17 kamare obsidale, ku vendoseshin shtatoret, kolonada e brendshme dhe e jashtme e katit të parë formohej nga kolona tetëkëndore. Në shek. I-III të e.s. qyteti përjetoi një periudhë të dytë ndërtimesh intensive, si tempullin e Agonotetëve, odeonin, bibliotekën dhe një sërë vilash të zbukuruara me mozaikë. Apolonia në kohën e Augustit u shpall qytet i lirë dhe i paprekshëm dhe vazhdoi të mbetej një qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore. Lulëzoi arkitektura dhe degë të tjera të artit, e sidomos skulptura. Ndaj me të drejtë Ciceroni e quajti “Magna urbs et gravis” (qytet i madh e hije rëndë). Në shek. III-IV qyteti humbet rëndësinë e dikurshme dhe në fillimet e mesjetës Apolonia kthehet në një qendër peshkopale. Marrëdhëniet e ndërsjellta të qyteteve koloni me interlandin ilir shpejtuan procesin e lindjes dhe zhvillimit të një tog qytetesh ilire. Gjatë shek. IV-II p.e.s. ngrihen qytete si Butrinti, Amantia, Bylisi, Foinike, Antigonea, Dimali, Lisi etj. Ato ishin vendosur mbi maja apo shpate kodrash, me horizont të gjerë shikimi dhe të rrethuara me mure me konstruksione solide me blloqe gurësh të skalitur me forma trapezoidale, poligonale e në një fazë më të zhvilluar me blloqe kuadratikë. Në shek. IV p.e.s. ato ishin kthyer në qendra zejtare e tregtare, kurse rreth mesit të shek. III p.e.s. qyteti ilir ishte formuar me tiparet themelore të një qyteti antik. Hapsira e brendëshme e qytetit ishte e organizuar sipas sistemit hipodamik ku agoraja në të cilën ishin vendosur godinat e karakterit politik e shoqëror, kulturor e religjoz (prytaneioni, teatri, shëtitorja, tempujt etj) formonin qendrën e qytetit të ndarë nga pjesa tjetër. Disa shembuj të këtyre ndërtimeve në qytetet ilire e dëshmojnë më së miri nivelin urbanistik të tyre. marrë nga Zemërshqiptare.com
|