Forum
E Hëne, 23/11/2009, 04:52
Welcome vizitor | RSS
Tv Shqip,Filma Shqip,Humor Shqip
Main | Registration | Login
[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
Page 1 of 11
Forum moderator: ermal 
Forum » Kultura Shqiptare » Filmat Shqiptare » Ne dhe Lenini
Ne dhe Lenini
Clyde Data: E Shtunë, 31/01/2009, 00:48 | Mesazhi # 1
Gjeneral Major
Mesazhet: 276
Reputacioni: 2
Statusi: Jashtë linje
“Ne dhe Lenini”, nje film kundër dyfytyresise


Ai është i moshuar. Dikur ka qenë aktor. Para shumë vitesh interpretoi në rolin e Leninit, të cilin publiku ende e kujton. Në oborrin e një shtëpie të moshuarish, Lenini aktor, teksa bisedon me një kërriç, i tregon bustin e Leninit, me fytyrën gjysmë të thyer. “O bir, ky është Lenini. Dikur kjo godinë ka qenë shkollë partie, sot është streha jonë. Por edhe këtë duan të na e marrin”, i drejtohet Lenini aktor kërriçit. Me këtë dialog nis filmi, e përfundon me të njëjtët protagonistë dhe me të njëjtën temë bisede. Me një ndryshim të vetëm, kërriçi tashmë është gomar. “Ne do vazhdojmë të rrimë këtu deri sa një ditë pushteti i tretë, që është drejtësia, të vendosë se kujt i takon kjo shtëpi”. “Ne dhe Lenini”, filmi më i ri i regjisorit Saimir Kumbaro, më 23 janar do të shfaqet premierë në kinemanë “Millenium” në Tiranë. Ngjarjet zhvillohen në një shtëpi të moshuarish, e cila quhet “Lulet e vjeshtës”. Aty, një grusht pleqsh shtyn ditët. Befas i kërcënon rreziku që të mbeten pa shtëpi. Strehës ku ata banojnë i del “pronari”, një biznesmen që ka vënë diktaturën për kryetar bashkie në qytet. Pleqtë i kundërvihen vendimit të Komisionit të Pronave për anulimin e tij. Ata zbulojnë se kandidati për kryetar bashkie i ka falsifikuar dokumentet e pronësisë dhe kërkon të përvetësojë një pronë që nuk i takon. Pleqtë kërkojnë ndihmën e Llazar Koritës, aktorit që dikur ka interpretuar Leninin në një dramë të njohur para shumë vitesh, por që ka mbetur në kujtesën e publikut. “Lenini” hidhet në mbrojtje të së drejtës, por përpjekjet e tij bien në vesh të shurdhër…

Saimir, më 23 janar ju keni premierën e filmit “Ne dhe Lenini”. Ju keni nisur të punoni për realizimin e tij që nga viti 2006. Si ndiheni tani që filmi do të përballet para publikut?

Sigurisht, i emocionuar. Filmi do të shfaqet më 23 janar në Tiranë dhe shpresoj që të pritet mirë, edhe pse unë e di se te ne shijet janë “të çuditshme”. Filmat shqiptarë nuk preferohen shumë. Publiku është më i angazhuar të ndjekë filma amerikanë “akrobatikë”. Më vjen keq që i cilësoj kështu, por kjo është e vërtetë. Sot në modë ecin më shumë përrallat. Ne nuk jemi në gjendje të bëjmë përralla, sepse nuk e kemi këtë mundësi financiare. Megjithatë, e vërteta është se sot regjisorët e mëdhenj janë të lodhur me këta lloj filmash dhe bëjnë apel t‘i kthehemi kinemasë autor, kinemasë njerëzore, asaj që prek shpirtrat e që reflekton jetën e përditshme. I tillë është në fakt edhe “Ne dhe Lenini”.

E në të vërtetë çfarë rrëfen ky film?

“Ne dhe Lenini” është një komedi dramatike, me temë sociale, që prek ndjenjat e shqiptarëve edhe aktualisht. Filmi zhvillohet në një strehë të moshuarish, të cilën kërkojnë ta marrin ata që merren me falsifikime të pronësisë. Në këtë film unë kam punuar kryesisht me simbolet. Filmi fillon me një kërriç dhe mbaron me një gomar. Me anë të këtij simboli, unë i them publikut atë proverbin e famshëm shqiptar: “Prit gomar të mbijë bar”. I kujtoj atij se Evropa pas vitit 1945 u rindërtua shumë shpejt, Shqipëria vazhdon ende të jetë në tranzicion. Ne i kemi kaluar aq vite sa të kishim rindërtuar vendin. Nuk mendoj se jemi një popull i varfër, më shumë jemi të paditur. Kam përshtypjen se jemi një popull i paditur. Padija na ka bërë të jemi në këtë stad.

Cila është linja që ndjek “Ne dhe Lenini”?

Filmi është një komedi dramatike, sepse ka edhe një linjë dramatike brenda tij. Ai të bën edhe të qeshësh, edhe të mendosh, nuk të bën të gajasesh, por në fund fare, kur filmi mbaron, spektatori nuk del i mërzitur apo i trishtuar. Unë vë re sot që shqiptarët kanë shumë qejf të trishtohen. Ndërron kanalet dhe vetëm lot. Mendoj se kemi nevojë për të qeshura se është ajo që tregon nivel të lartë intelektual.

Çfarë ju shtyu për realizimin e këtij filmi?

Filmi është bazuar mbi dramën “Streha e të harruarve” të skenaristit Ruzhdi Pulaha, i cili njëkohësisht është edhe skenaristi i filmit. Mua më pëlqeu ideja e Ruzhdiut dhe i propozova ta kthejmë në një skenar filmi. Fitova konkursin në Qendrën Ndërkombëtare të Filmit. Megjithatë, për skenarin kam bashkëpunuar edhe me skenaristin amerikan, Sean Clarck, të cilit ia bëra të qartë që nuk duhej të hynte në të drejtën e autorit. Ai është profesor skenari në Universitetin e Nevadas, në Las Vegas. Unë i vlerësoj bashkëpunimet dhe mendoj se tashmë jemi në atë stad që duhet të hyjmë në të tilla bashkëpunime. Jam i bindur se po të kesh një skenar të mirë, është e pamundur të mos bësh një film të mirë.

Pse vendosët ta titullonit “Ne dhe Lenini”?

Më pëlqeu ta titulloja kështu, sepse mendoj se të gjithë ne e kemi ende nga një Lenin brenda nesh dhe mua më vjen shumë keq që këtë Lenin, të cilin e ka në bark brezi ynë, po ia transmetojmë edhe brezit tuaj. Sepse ne çdo zgjidhje e kërkojmë te 1-shi. Por ne jemi individë, i kemi mundësitë për të ndryshuar e për të bërë diçka ndryshe. Por kam frikë se ky Lenin që ne vazhdojmë ende të kemi secili brenda vetes, nuk na lejon të bëjmë para. Por në të vërtetë shkëndijën e parë për përmendjen e figurës së Leninit në film ma ka dhënë aktori Lazër Filipi.

Në fakt ai është edhe protagonisti i filmit, aktori Lenin. Si ndodhi që e përzgjodhët?

Sipas Ruzhdi Pulahës, në rolin e aktorit në film ka qenë një personazh që donte të interpretonte një pjesë nga Markezi. Ai ishte një aktor i vjetër. Fillimisht ky rol i ishte besuar aktorit Robert Ndrenika. Por një ditë takoj rastësisht Lazër Filipin, i cili mbante në dorë një kasetë. I kërkova ta shikoj. Aty ishte regjistruar shfaqja “Orët e Kremlinit”, një pjesë ruse e vënë në skenë rreth 30 vjet më parë. E shikoj dhe në moment më lindi një ide: po sikur t‘ia heq Bertit këtë rol dhe t‘ia jap Lazrit? Pra, aktorin në film ta bëjë një ish-Lenin. Kjo më intrigoi shumë dhe mendoj se ishte edhe gjetja për filmin.

Aktorët në film janë të gjithë profesionistë. Si i përzgjodhët dhe përse kjo zgjedhje?

Një pjesë e aktorëve që unë kisha përzgjedhur kishin interpretuar më parë edhe në dramë. Çdo regjisor ka preferencat e veta dhe unë kam të miat. Mendoj se kam zgjedhur aktorët më të mirë, të teatrit dhe të filmit, sipas meje, duke filluar nga Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Lazër Filipi, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Hajrie Rondo, Elvira Diamanti etj. Ata janë një galeri personazhesh. Për mua karakteret janë shumë të rëndësishëm, punoj shumë me ta.

Saimir, ku është realizuar filmi?

Shtëpi të moshuarish në Shqipëri ka plot. Por unë zgjodha një shtëpi të moshuarish e cila gjendet në Kavajë. Për mua ishte më i rehatshëm si vend, dhe më i mundshëm për të realizuar atë që kisha unë në mendje edhe si dekor. Unë kam vënë dorë dhe kam bërë edhe ndryshime në ambient, pasi këtu te ne këto streha nuk janë shtëpi të moshuarish. Ato duken si spitale për të sëmurë. Kur Nino, operatori italian, e pa për herë të parë atë vend, tha se nëse ndonjë ditë fëmijët do të mendojnë ta çojnë në azil, atëherë ai tërë pasurinë do ua linte në testament të varfërve. Por unë e kam ndryshuar shumë këtë shtëpi të moshuarish në Kavajë. Në film ka dalë tjetër gjë. Gjithnjë mundohem të paraprij me filmin, të jap mesazhe dhe të rrëfej ç‘ndodh. Për mua azili i të moshuarve është stacioni i fundit për njerëzit e moshës së tretë. Indirekt me filmin unë u bëj një apel të rinjve, duke u thënë të jenë më të kujdesshëm me të moshuarit. Ata janë për shumë pak kohë në këtë jetë.

Sa zgjatën xhirimet? Sa qëndruat ju së bashku me aktorët në këtë shtëpi të moshuarish, ku sigurisht jeni njohur nga afër me banorët e përhershëm të saj?

Në shtëpinë e të moshuarve në Kavajë xhiruam për gati pesë javë. Aty kemi dëgjuar histori nga më të ndryshmet, me dhjetëra drama që sinqerisht më kanë tronditur.

Sa ka kushtuar filmi dhe me kë keni bashkëpunuar për realizimin e tij?

“Ne dhe Lenini” është një bashkëprodhim shqiptaro-franko-maqedonas. Shteti shqiptar financoi me 306 mijë euro, Ministria e Jashtme franceze me 130 mijë euro dhe Ministria e Kulturës së Maqedonisë dha 65 mijë euro. Të gjitha këto përbëjnë buxhetin me të cilin u realizua filmi.

E duke qenë se po flasim për një bashkëprodhim, ju si i vlerësoni këto bashkëpunime?

Për realizimin e filmit operator ishte Nino Celeste, një italian që ka realizuar rreth 230 filma. Një njohës shumë i mirë i kuadrit, i ndriçimit dhe shumë punëtor. Në grupin tim të xhirimit kam pasur rreth 305 persona nga të cilët tre ishin bullgarë, dy francezë, dy italianë dhe pjesa tjetër shqiptarë. Mendoj se ne shqiptarët jemi jashtëzakonisht larg përgjegjësisë së punës në krahasim me të huajt, ne na mungon nervi për të punuar e për të ecur përpara.

Në punën si regjisor, çfarë është e rëndësishme për Saimir Kumbaron?

Para se të filloj një film, unë i shkruaj perceptimet e mia mbi personazhet. Kjo më ndihmon që gjatë zhvillimit të filmit, spektatori të marrë informacion dhe që në fund të filmit aktori të arrijë të krijojë një karakter të veçantë, që nuk e ka bërë më përpara. Kjo është edhe një nga tiparet e mia si regjisor, të ndërtoj karaktere që të mbahen mend. Vëmendje të madhe unë i kushtoj shumë edhe interpretimit për film. Ndryshe interpretojnë aktorët për teatër e ndryshe për një film. Te ne ndodh që duke qenë se aktorët i dorëzohen shumë shpejt skenës teatrore, këto elemente fillojnë të ngatërrohen, duke interpretuar për film njësoj si për teatër dhe bën që të ndodhë ajo që ne në profesion e quajmë “mbi lojë”. Pra që aktori nuk është i sinqertë dhe fillon të bëjë teatër në kuptimin e keq të fjalës.

Ju po prezantoni një prodhim të ri shqiptar, në një kohë kur realizimet janë të pakta. Si regjisor me përvojë 38-vjeçare, cili është mendimi juaj për kinematografinë shqiptare sot e më vonë?

Unë e shikoj të ardhmen e kinematografisë shqiptare në një kolaps total për dy arsye. E para sepse vështirësia e montazhit financiar është shumë e vështirë, e dyta sepse ne jemi një kinema e panjohur. Nuk jemi një kinema komerciale. Këtu bëhet fjalë a do të mbijetojë filmi shqiptar apo do të fundoset përfundimisht? Unë hyj te pesimistët. Filmi shqiptar ka destinacion kinemanë. Para viteve ‘90 në Tiranë ne kishim 12 deri 14 kinema vetëm në kryeqytet, në një kohë që popullata ishte 250 mijë. Sot është 800 mijë vetë dhe ne kemi një kinema e gjysmë. Ende nuk po shikoj ndonjë përpjekje për të ndryshuar.

Në filmin “Ne dhe Lenini”, cili është mesazhi që dëshironi të transmetoni?

Ajo që mua më shqetëson është dyfytyrësia, këtë e transmetoj edhe në film.

Çfarë do të ndodhë me filmin pas premierës?

Pas shfaqjes në Tiranë, më 26 janar më kanë ftuar ta shfaq filmin edhe në Prishtinë. Sigurisht që do të shfaqet në të gjitha qytetet ku gjendet rrjeti i kinemave “Millenium”. Më pas nuk e di se ku do të shkojë filmi. Nuk kam bërë asnjë plan. Nëse më ftojnë për ndonjë festival, me siguri që do të shkoj.

Ndoshta është paksa shpejt për këtë pyetje, por a keni nisur të mendoni për realizimin e një ndonjë filmi tjetër?

Po, unë kam shumë dëshirë të realizoj një film tjetër. Tani jam duke u marrë me diçka, sepse unë eci me parimin më mirë puno kot se të rrish kot. Së bashku me regjisorin Piro Milkani po bashkëpunojmë për një skenar filmi të Pëllumb Kullës, i cili do të bazohet mbi librin e tij më të ri, “Vdekja e diktatorit”. E dyta, kam një ngjarje që dikur e kam bërë film dokumentar e që tashmë dua ta kthej në një film artistik. Bëhet fjalë
historinë e një drejtori banke, i cili shpëtoi thesarin e Sarandës në ‘97.

Burimi: Gazeta Shqip

ShqipLiveTV: Shume shpejt do ju a bejme te mundur filmin ne forum!

 
Forum » Kultura Shqiptare » Filmat Shqiptare » Ne dhe Lenini
Page 1 of 11
Search:

Tag Board
500

Statistics

Login form
E-mail:
Password:

Site friends
  • Create your own site


  • Copyright MyCorp © 2009